Më 9 dhe 10 dhjetor 2025, Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, mori pjesë në dy ngjarje të rëndësishme të zhvilluara në Shkup, në kuadër të reformave rajonale për menaxhimin e mbeturinave.
Më 9 dhjetor, u zhvillua pritja solemne kushtuar bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore, komunave dhe partnerëve ndërkombëtarë, ku u riafirmua përkushtimi ndaj një sistemi modern dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave.
Më 10 dhjetor, komunat e rajonit të Pellagonisë dhe Jugperëndimor formuan zyrtarisht Bordin Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbeturinave (BNMM) – një mekanizëm rajonal i ri që do të sigurojë koordinim më të mirë, planifikim afatgjatë dhe shërbime më cilësore për qytetarët. BNMM do të ketë rol kyç në miratimin e planeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave, koordinimin e mbylljes së deponive ekzistuese, mbikëqyrjen e sistemit rajonal dhe garantimin e transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve.
Formimi i këtij bordi shënon fillimin e një faze të re të reformës, përfshirë hartimin e Planit Rajonal 2026–2032 dhe finalizimin e strukturave rajonale të shërbimit komunal. Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar ndaj avancimit të standardeve mjedisore dhe përmirësimit të shërbimeve publike në interes të qytetarëve.


