Model i ri rajonal për mbetjet: Kryetari Qyra në takimin që përcakton standarde evropiane për Strugën

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, mori pjesë në konstituimin zyrtar të Bordit Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbetjeve të Rajonit të Pelagonisë dhe Jugperëndimit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për një sistem modern, transparent dhe të harmonizuar me standardet e BE-së.

 

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, mori pjesë në konstituimin zyrtar të Bordit Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbetjeve në Rajonin e Pelagonisë dhe atë Jugperëndimor – një proces që bashkoi përfaqësues të Qeverisë, partnerë ndërkombëtarë dhe vetëqeverisjen lokale rreth vizionit të përbashkët për ndërtimin e një sistemi modern dhe të integruar të menaxhimit të mbetjeve.

Ky bord rajonal synon vendosjen e një modeli bashkëkohor, të harmonizuar me standardet evropiane, i cili do të mundësojë shërbime publike më cilësore, infrastrukturë më efikase dhe një mjedis më të pastër për qytetarët. Qasja e koordinuar ndërmjet komunave konsiderohet thelbësore për të garantuar procedura transparente, planifikim afatgjatë dhe një kuadër institucional të qëndrueshëm.

Në këtë takim, u nënvizua se menaxhimi rajonal i mbetjeve është bazë për përmirësimin e kapaciteteve lokale dhe forcimin e politikave të gjelbra që kërkohen nga Bashkimi Evropian. Pjesëmarrja e Strugës në këtë bord konfirmon angazhimin e komunës për të avancuar drejt standardeve të BE-së në fushën e mjedisit dhe për të implementuar zgjidhje funksionale në të gjitha vendbanimet e saj.

Komuna e Strugës theksoi se mbetet e përkushtuar në zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve, duke synuar që çdo lagje dhe çdo vendbanim të jetë pjesë e një rajoni të pastër, të rregullt dhe modern. Ky proces, siç u theksua, është një investim i drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe një hap i rëndësishëm në rrugën drejt praktikave bashkëkohore të menaxhimit mjedisor.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT