Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) po zhvillon sot mbledhjen vendimtare për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Për këtë pozicion janë në garë katër kandidatë: Adnand Xholi, Elvin Gogaj, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho.
Kandidatët po paraqesin platformat e tyre para anëtarëve të KLP-së, duke u fokusuar në vizionin për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme dhe në mënyrën e organizimit të punës së institucionit. Procesi i prezantimeve po zhvillohet sipas rendit alfabetik.
Mbledhja po mbahet në praninë e anëtarëve të KLP-së dhe përfaqësuesve institucionalë, përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Ministrinë e Drejtësisë, projektin EU4Justice, programin OPDAT, si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike.
Sipas kritereve të përcaktuara, zgjedhja e kreut të SPAK do të bazohet në eksperiencën profesionale në çështje të korrupsionit dhe krimit të organizuar, aftësitë drejtuese, vizionin për institucionin dhe integritetin publik të kandidatëve.
Mandati trevjeçar i drejtuesit aktual të SPAK, Altin Dumanit, përfundon më 16 dhjetor. Kreu i ri i institucionit do të zgjidhet nga radhët e prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi.


