Zv/ministri i Punëve të Brendshme, Astirt Iseni, në paraqitjen e tij në emisionin “Debat në Shenja”, deklaroi se projekti “Safe City” po ecën sipas planit, megjithëse faza testuese do të zgjatet edhe për një muaj shtesë nga afati fillestar.
Sipas Isenit, MPB-ja fillimisht kishte parashikuar një periudhë provuese prej një muaji, por vlerësimet teknike kanë treguar se nevojiten edhe disa javë të tjera për të garantuar funksionim të plotë. Ai bëri të ditur se synimi është që implementimi i sistemit të nisë zyrtarisht më 1 shkurt 2026.
“Ambicia jonë është që Safe City të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mendojmë se ky sistem duhet të arrijë në çdo rrugë dhe çdo lagje, në mënyrë që çdo qytetar ta ndjejë sigurinë në jetën e përditshme”, theksoi Iseni.
Ai shtoi se projekti nuk kufizohet vetëm në vendosjen e kamerave, por përfshin edhe përpunimin e të gjitha materialeve të regjistruara dhe ndihmën në zbardhjen e veprave penale, me qëllim rritjen e efikasitetit të organeve të rendit.


