Inflacioni në Kosovë: Pemët 16%, energjia 15,5%, mishi 14%

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin nëntor 2025, duke treguar se çmimet në vend kanë shënuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

 

Sipas të dhënave të ASK, indeksi i çmimeve të konsumit është rritur mesatarisht 5,3% krahasuar me nëntorin e vitit 2024. Inflacioni mujor u regjistrua në 0,4% për muajin nëntor.

Grupet e mallrave dhe shërbimeve që kanë kontribuar më shumë në rritjen e çmimeve janë:

  • Pemët dhe frutat: +16,1%

  • Energjia elektrike: +15,5%

  • Mishi: +13,7%

  • Shërbime të transportit dhe mirëmbajtja e pajisjeve personale: deri 18,1%

  • Bileta fluturimesh: +14,6%

  • Kafe, çaj dhe kakao: +14%

  • Pushime të organizuara: +13,5%

  • Qumësht, djathë dhe vezë: +10,5%

Përveç këtyre, rritje të konsiderueshme janë regjistruar edhe te lëndët djegëse, shërbimet hoteliere, pajisjet terapeutike, duhani, kujdesi personal, ushqimet e përpunuara dhe bukët. Ndërkohë, perimet, uji mineral, pijet joalkoolike dhe transporti rrugor i udhëtarëve kanë pësuar rritje më të ulët, nga 1,4% deri 3,3%.

ASK thekson se ndryshimet në çmime kanë ndikim të drejtpërdrejtë te xhepi i qytetarëve dhe nënvizojnë nevojën për monitorim të vazhdueshëm të tregut dhe masave për kontrollin e inflacionit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT