Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar një krizë të rëndë ekonomike dhe energjetike, duke deklaruar se është vetëm çështje kohe kur Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione sekondare që do të godasin bankën qendrore dhe institucionet financiare të vendit.
Në një konferencë për shtyp pas takimit me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Vuçiq theksoi se situata energjetike në Serbi tashmë është shumë e vështirë dhe çdo ditë që kalon mund ta përkeqësojë më tej. Ai përmendi mungesën e naftës në rafineritë e vendit, duke theksuar se 61 ditë pa asnjë pikë nafte kanë shkaktuar një shqetësim të madh dhe po e përballin vendin me pasoja të rënda.
“Çështja nuk është nëse, por kur do të arrijnë sanksionet sekondare, dhe atëherë do të fillojnë problemet reale,” tha Vuçiq, duke shtuar se shqetësimi kryesor është për furnizimin me naftë, ndërsa për gazin situata është më pak e rrezikshme.
Ai theksoi se Serbia po shqyrton mundësitë për të importuar derivatet nga vendet fqinje dhe po planifikon ndërtimin e naftësjellësve të rinj për të shmangur mungesat, duke kërkuar gjithashtu mbështetjen e Bashkimit Evropian për tejkalimin e krizës.
Situata dramatike që përshkruan Vuçiqi tregon se vendi po përballet me një sfidë të rëndë energjetike dhe financiare, që mund të ketë pasoja serioze për ekonominë dhe qytetarët serbë në muajt e ardhshëm.


