Futbollistët e Shkëndijës nuk lejuan një tjetër zhgënjim si ai i para dy javëve dhe në Shkup siguruan fitore të pastër 2–0 ndaj Slovan Bratislavës. Me këtë rezultat, kampionët nga Tetova u ngjitën në zonën që garanton ndeshje evropiane në pranverë në UEFA Conference League.
Në prag të xhiros së fundit të fazës së grupeve, Shkëndija renditet në vendin e 21-të me shtatë pikë, duke qenë shumë afër kualifikimit në play-off (pozicionet 9–24). Për të shmangur çdo lloj llogaritjeje, kuqezinjve u nevojitet fitore në ndeshjen e fundit në udhëtim te AEK Larnaka, që deri tani nuk ka humbur. Megjithatë, Shkëndija mbetet me shanse edhe në rast disfate.
Nëse kampioni i Maqedonisë së Veriut humb në Qipro, për të siguruar play-offin duhen disa rezultate të favorshme: Crystal Palace të fitojë ndaj KuPS-it, Zrinjski të mos e mposhtë Rapidin, ndërsa Breidablik të mos triumfojë në transfertë ndaj liderit Strasbourg. Nëse ky skenar materializohet, Shkëndija do të jetë në arenën ndërkombëtare edhe në pranverë.
Në rast se këto rezultate nuk shkojnë sipas pritshmërive, tetovarët do të shpresojnë në dështime të skuadrave Sigma, Universitatea Craiova dhe Lincoln, që renditen në vendet 22, 23 dhe 24, po ashtu me shtatë pikë.


