Sulmuesi anësor i Shkëndijës realizoi golin e dytë në fitoren 2:0 ndaj Slovan Bratislavës, ndërsa beson se kuqezinjtë mund të dalin me rezultat pozitiv edhe në Qipro.
Shkëndija të enjten në Shkup zhvilloi një prej paraqitjeve më të mira në vitin 2025, duke deklasuar Slovan Bratislavën në kuadër të xhiros së 5-të të UEFA Conference League. Rezultati 2:0 nuk pasqyron ndodhitë në fushë, pasi kuqezinjtë humbën të paktën edhe 2-3 raste të pastërta shënimi. Gjithsesi, triumfi erdhi falë autogolit të Bajriçit (33’) dhe realizimit të Sebastian Spahiut (45’+1).
“Më të rëndësishme janë tre pikët, pasi nuk jemi kualifikuar ende, duhet të fitojmë edhe në Larnaka javën tjetër. Jemi konfident dhe besoj jemi mirë dhe shkojmë atje për të marrë tre pikë tjera”, u shpreh pas ndeshjes Spahiu, duke shtuar se me kalimin e kohës është duke i’u afruar verzionit më të mirë të vetes.
“Normalisht ndjehem shumë mirë, jo vetëm për golin, por kam filluar të ndjehem mirë e më mirë, pasi e dinë të gjithë se nuk kam qenë në fazë përgatitore dhe tani e kam marrë vetën mirë”.
Spahiu në verë kishte disa mundësi për të lëvizur në kampionate të ndryshme, por e tërhoqi Shkëndija me projektin dhe ambiciet për të bërë mirë jo vetëm në skenën vendore, por edhe në sezonin debutues në fazën kryesore të UEFA Conference League.
“Këto lloj ndeshje duhet për ti shijuar dhe për atë kam ardhur për në fazën kryesore të Ligës së Konferencës, por edhe për grupin dhe i falenderoj të gjithë çunat se si më kanë pritur. Po ndjehem shumë mirë këtu”, thotë 26 vjeçari nga Shkodra, i cili shprehet optimist se Shkëndija do të jetë në garë për titullin kampion në praneverë, pa harruar se kemi akoma punë për të bërë në Evropë.
“Sigurisht besojmë se do ta përmbysim negativën në kampionat. Këtu në Shkup është shumë e vështirë për të na mundur kur luajmë në Conference League dhe ndjehemi mirë si ekip”, përfundoi Sebastian Spahiu.


