Kryeministri Edi Rama komentoi një episod ku, sipas tij, agjentë të BKH hynë në godinën e Kryeministrisë, pa respektuar rregulloren e sigurisë së Gardës së Republikës. Rama tha se agjentët nuk pranuan as të linin armët tek dera, por theksoi se kjo nuk tregon humbje të sensit nga drejtësia e re.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama nënvizoi nevojën për reflektim serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të garantuar suksesin e Reformës në Drejtësi dhe pavarësinë e gjyqësorit. Ai paralajmëroi se nuk mund të lejohet që “cura të bëhet problem më i madh se sëmundja”, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe funksionimin e administratës dhe ekonomisë së vendit.
Në deklaratë, Rama nuk specifikoi zyrën që u kontrollua, duke lënë hapësirë për verifikim mbi objektin e vizituar nga BKH.


