Përfaqësues të këshillave komunalë nga Komuna e Strugës kanë pritur sot në një takim zyrtar delegacione nga Kukësi dhe Divjaka, në kuadër të një vizite për shkëmbim përvojash dhe forcim të bashkëpunimit ndërkomunal.
Komuna e Strugës u përfaqësua nga anëtari i Këshillit Komunal, Nafi Jonuzi, ndërsa nga pala shqiptare morën pjesë kryetarja e Këshillit të Divjakës, Liri Biti, dhe kryetari i Këshillit të Kukësit, Albert Muja.
Gjatë takimit, i cili u zhvillua në një atmosferë konstruktive, u diskutuan çështje me interes të përbashkët që lidhen me zhvillimin e bashkëpunimit, rritjen e kapaciteteve institucionale, si dhe përmirësimin e menaxhimit dhe zgjidhjes së problemeve në nivel lokal dhe rajonal.
Në emër të Kryetarit të Komunës së Strugës, me një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve u drejtua Shefkije Alasani, nga Kabineti i Kryetarit të Komunës.
Agjenda e takimit do të vazhdojë edhe ditën e nesërme, ku përfaqësuesit e Komunës së Strugës do të prezantojnë punën e komunës, funksionimin e vetëqeverisjes lokale, si dhe kompetencat e këshillit komunal dhe proceset e vendimmarrjes.


