Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, mori pjesë në Kuvendin Gjeneral të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), ku me vendim unanim u rizgjodh Kryetari i BNJVL për një mandat të ri.
Gjatë punimeve të Kuvendit u theksua rëndësia e vazhdimit të procesit të decentralizimit, forcimit të vetëqeverisjes lokale dhe thellimit të bashkëpunimit institucional, si elemente kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm të komunave dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Pjesëmarrësit vlerësuan rolin e BNJVL-së si një platformë e përbashkët dhe gjithëpërfshirëse, e cila mundëson adresimin e sfidave të përbashkëta të komunave dhe koordinimin e politikave lokale në nivel kombëtar.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, u zgjodh anëtar i Këshillit Drejtues të BNJVL-së, duke marrë përsipër përfaqësimin e interesave të komunave dhe duke kontribuar drejtpërdrejt në proceset vendimmarrëse të kësaj strukture të rëndësishme të vetëqeverisjes lokale.


