PUKË – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi këtë të hënë një vizitë zyrtare në qytetin e Pukës, ku u ndal te potenciali ekonomik i zonës, tradita artizanale dhe rëndësia e mbështetjes sociale gjatë festave të fundvitit.
Takimi me autoritetet: Fokus te turizmi dhe tradita
Vizita nisi me një takim me kryebashkiakun Rrok Dodaj. Kreu i Shtetit u njoh me sfidat e bashkisë dhe vlerësoi punën e bërë në qendrat e fëmijëve dhe ansamblet kulturore. Begaj theksoi se Puka ka një pasuri të jashtëzakonshme në turizëm dhe bujqësi, që duhet shfrytëzuar për të mbajtur të rinjtë në vendlindje.
Brandi “Puka” në tregjet europiane
Gjatë vizitave në punishtet kryesore si AgroPuka, Dalmacia, Lajthiza dhe Mida, Presidenti Begaj vlerësoi faktin se produktet pukjane tashmë kanë kaluar kufijtë.
“Sipërmarrësit pukjanë janë njerëz të zotë që po përcjellin imazhin e Shqipërisë në botë përmes punës së ndershme. Produkte me emrin e Pukës sot gjenden në tregjet europiane,” u shpreh Begaj.
Kultura dhe Solidariteti
Presidenti nuk la pa vizituar as Muzeun Etnografik dhe mjeshtrin e dritares së drurit, Vitor Shahinaj, duke i cilësuar ata si gardianë të trashëgimisë kombëtare.
Në përfundim të vizitës, në një gjest simbolik për festat e fundvitit, Kreu i Shtetit shtroi një drekë për qytetarët në nevojë, duke dhënë një mesazh begatie dhe përkujdesjeje për shtresat më të brishta të shoqërisë.


