TETOVË – Merkatoja e dimrit ka prodhuar një dramë të vërtetë te KF Shkëndija. Sulmuesi kryesor i kuqezinjve, Fabrice Tamba, ka qenë vetëm një hap larg transferimit në kampionatin ukrainas, në një marrëveshje që do të thyente rekordet e shitjeve për klubin tetovar.
Oferta marramendëse nga Ukraina
Burime pranë klubit konfirmojnë se në adresë të Shkëndijës ka mbërritur një ofertë zyrtare prej 800.000 eurosh. Oferta, e ndërmjetësuar nga agjencia prestigjoze me seli në Londër, Prospects Management Agency, përfshinte kushte fantastike për futbollistin: kontratë 3 vjeçare e gjysmë, rritje të ndjeshme page dhe bonuse të larta performance.
Pse dështoi transferimi?
Edhe pse Shkëndija ishte e gatshme ta linte lojtarin të lirë për këtë shifër rekord, gjithçka “u dogj” në sekondat e fundit. Shkak u bënë vonesat procedurale nga ana e agjentit afrikan të Tambës. Klubi ukrainas, duke qenë nën presionin e kohës për mbylljen e merkatos, vendosi të tërhiqej përfundimisht nga bisedimet.
Rritja e vlerës së Shkëndijës
Kjo ofertë, e cila i kalon vlerat aktuale të lojtarit në “Transfermarkt”, dëshmon rritjen e madhe të vlerës së ekipit të Shkëndijës në tregun ndërkombëtar. Skuadra tetovare tashmë kap vlerën totale prej mbi 7 milionë eurosh, duke u konfirmuar si një nga fuqitë kryesore ekonomike në rajon.
Një vlerësim i veçantë shkon për Prospects Management, e cila po tregon seriozitet maksimal duke sjellë oferta miliona eurosh për klubet shqiptare, duke i vendosur ato në hartën e rëndësishme të futbollit europian


