TETOVË – Xhamia e Larme, perla arkitekturore dhe historike e qytetit të Tetovës, ka qenë ndalesa e radhës e deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jorida Tabaku, gjatë vizitës së saj zyrtare.
E shoqëruar nga deputetja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, znj. Kaltrina Beqiri, dhe koordinatorja e kabinetit të kryetarit të Komunës, znj. Sevim Veseli Berzati, delegacioni u prit në një atmosferë mikpritëse nga zyrtarët e lartë të Myftinisë së Tetovës.
Shefi i kabinetit të Myftiut, Muhamed ef. Berzati, dhe imami i xhamisë, Mr. Emir ef. Kasami, u uruan mirëseardhje vizitoreve, duke i njohur ato me historikun e pasur dhe vlerat unike arkitekturore që kjo xhami mbart që nga kohët e vjetra.
“Kjo vizitë shënon një akt mirënjohjeje dhe respekti për trashëgiminë tonë fetare dhe kulturore, duke rikonfirmuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit tonë historik,” thuhet në njoftimin e Myftinisë.
Vizita e znj. Tabaku në këtë objekt kulti tregon jo vetëm lidhjet e forta politike, por edhe vlerësimin e thellë për monumentet që bashkojnë shqiptarët në aspektin shpirtëror e kulturor.


