Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e fundit të Shtabit Qendror Zgjedhor, vetëm pak ditë para zgjedhjeve që do të mbahen këtë të diel. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm kryetari i partisë Memli Krasniqi dhe kandidati për kryeministër Bedri Hamza, u konfirmua gatishmëria e plotë për procesin elektoral.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Memli Krasniqi ka përcjellë një mesazh uniteti dhe vendosmërie për anëtarësinë dhe simpatizantët e PDK-së. Ai theksoi se partia është e bashkuar rreth një qëllimi të vetëm dhe pa asnjë dilemë për rrugëtimin e saj.
“Jemi bashkë, të palëkundur dhe të bashkuar rreth një qëllimi të vetëm. Rruga jonë është e qartë, pa dilema dhe pa kthim pas. Përpara është misioni ynë për qytetarët dhe për Kosovën. Bashkë. Përpara”, ka shkruar Krasniqi.
Ky takim shënon edhe mbylljen e aktiviteteve koordinuese të shtabit, duke lënë gjithçka gati për ditën e votimit. PDK garon në këto zgjedhje me slloganin “Bashkë. Përpara”, duke vënë në qendër të ofertës së saj ekonomistin Bedri Hamza si figurën që pretendon të marrë drejtimin e ekzekutivit.


