Së bashku me bartësin e listës së këshilltarëve për zgjedhjet e 19 tetorit, Albi Qamili, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, zhvilloi sot një takim me dy figura të njohura të arsimit në qytet, Nijazi dhe Behije Bexhetin.
Për 43 vite, ata kanë mësuar dhe edukuar gjenerata të tëra nxënësish në shkollën “Naim Frashëri”, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme që reflektohet edhe sot. Nijazi, përveç si arsimtar i përkushtuar, ka mbajtur edhe përgjegjësinë e drejtuesit të shkollës, duke udhëhequr me vizion dhe përkushtim.
Bashkëbisedimi me ta për Strategjinë për zhvillimin e arsimit, të cilën e promovuan sot, ishte një dëshmi se vizioni i tyre për përmirësimin e arsimit është në rrugën e duhur: shkolla të reja, mësim me një ndërrim dhe kushte më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Kasami dhe Qamili theksuan se kjo strategji është vetëm një pjesë e vizionit të tyre për zhvillimin e gjithanshëm të Tetovës në arsim, infrastrukturë, kulturë dhe mirëqenie. Së bashku, këto iniciativa synojnë të bëjnë qytetin më të denjë për brezat që po rriten.
“Bashkë me të gjithë qytetarët, do të shkruajmë kapitullin e dytë të Tetovës dhe do t’i japim hov zhvillimit të qytetit tonë,” u shprehën Kasami dhe Qamili.

