Nga zbulimi i hershëm i kancerit te shkarkimi i mjekëve: Çfarë përshpejtoi Inteligjenca Artificiale (AI) në spitalet evropiane

Mjetet e Inteligjencës Artificiale që premtojnë përmirësimin e shëndetit të njerëzve kanë depërtuar fuqishëm në shëndetësinë evropiane gjatë vitit 2025. Nuk kanë munguar as premtimet: kujdes i personalizuar, diagnoza më të shpejta, zbulim më efikas i sëmundjeve dhe zhvillim i përshpejtuar i barnave të reja. Por, çfarë solli saktësisht “AI”?

 

Zbatimi i saj është tashmë i dukshëm në praktikë – Finlanda përdor AI në edukimin e punonjësve shëndetësorë, Estonia në analizën e të dhënave mjekësore, ndërsa Spanja në zbulimin e hershëm të sëmundjeve, shkruan “Euronews”.

Megjithatë, kërkimet paralajmërojnë për kufizimet e teknologjisë. Mjekët vazhdojnë të tejkalojnë AI-në në situata emergjente, ndërsa “chatbot”-ët e AI-së kanë vështirësi me shëndetin mendor të pacientëve, duke rrezikuar përhapjen e dezinformatave mjekësore. Përveç kësaj, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se mjetet e avancuara të AI-së mund të keqpërdoren, madje edhe për zhvillimin e armëve biologjike.

Pavarësisht këtyre rezervave serioze, AI po rrënjoset gjithnjë e më thellë në mjekësi. Këtu janë pesë fushat kryesore ku ajo ka lënë gjurmë në shëndetin dhe mirëqenien e evropianëve në vitin 2025:

1. Parashikimi i rreziqeve shëndetësore vite më parë

Shkencëtarët kanë zhvilluar një model AI të aftë për të parashikuar më shumë se një mijë gjendje mjekësore – përfshirë lloje të caktuara të kancerit, sulmet në zemër dhe diabetin – dhe këtë më shumë se dhjetë vjet para diagnozës zyrtare.

Edhe pse mjeti nuk është ende gati për përdorim të përditshëm klinik, ai mund të përmirësojë ndjeshëm kuptimin e zhvillimit të sëmundjeve me kalimin e kohës. Paralelisht me këtë, këtë vit u prezantuan mjetet AI që vlerësojnë nëse mutacionet e rralla gjenetike do të çojnë në sëmundje, analizojnë mamografitë për të vlerësuar rrezikun e problemeve kardiake te gratë dhe përdorin imazhe rutinë mjekësore për të njohur biomarkerët e stresit kronik.

2. Diagnostikim më i shpejtë i sëmundjeve

Asistenti AI “Prof. Valmed” u certifikua këtë vit për t’u ndihmuar mjekëve në diagnostikim dhe trajtim, duke u mbështetur në sasi të mëdha të të dhënave mjekësore të pacientëve. Në Britaninë e Madhe u zhvillua një stetoskop AI që mund të zbulojë problemet e zemrës në vetëm 15 sekonda. Edhe pse doli të ishte tepër i ndjeshëm, mjekët theksojnë se ai megjithatë zbuloi probleme reale të zemrës që përndryshe mund të mbeteshin pa u vënë re. Po ashtu, AI po përdoret për të përshpejtuar diagnozën e kancerit të prostatës, duke shkurtuar pritjen për disa javë.

3. Monitorimi i pacientëve pas operacioneve

Një ekip kërkimor gjerman zhvilloi një algoritëm AI që automatizon monitorimin e pacientëve pas vendosjes së stenteve. Kjo procedurë përndryshe është afatgjatë dhe e prirur ndaj komplikimeve. Algoritmi vlerëson ecurinë e shërimit me saktësi të krahasueshme me atë të klinikëve me përvojë, gjë që mund të përmirësojë rezultatet afatgjata të trajtimit të sëmundjeve të zemrës.

4. Lufta kundër rezistencës ndaj antibiotikëve

Rezistenca e baktereve ndaj antibiotikëve po bëhet një nga çështjet më të mëdha të shëndetit publik në Evropë. Shkencëtarët po mbështeten te AI për të dizajnuar dhe testuar terapi të reja kundër baktereve rezistente ndaj barnave. Gjithashtu, AI përdoret për të kuptuar më detajisht përgjigjen e sistemit imunitar, gjë që mund të përshpejtojë zhvillimin e vaksinave efikase.

5. Më pak administratë, më shumë kohë për pacientët

Spitalet në mbarë Evropën po prezantojnë mjete AI për të reduktuar barrën administrative – nga mbajtja e shënimeve deri te shkrimi i udhëzimeve. Qëllimi është t’u lihet më shumë kohë mjekëve për pacientët në një sistem që përballet me mungesë kronike të personelit. Për shembull, asistenti klinik AI i “Microsoft” është i disponueshëm në Irlandë, ndërsa startup-i suedez “Tandem Health” ka lançuar “shënuesin mjekësor” AI në disa vende evropiane.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT