Deputeti i Lëvizjes Besa dhe shefi i shtabit të VLEN, Adnan Azizi, ka lëshuar një lumë akuzash drejt figurave të opozitës, duke i akuzuar për mungesë guximi dhe pazare në dëm të shqiptarëve.
Përmes një reagimi me tone të ashpra dhe ironike, Adnan Azizi ka shënjestruar oponentët e tij politikë, duke i portretizuar si politikanë që ndryshojnë “fytyrën” sapo mbyllen kutitë e votimit. Azizi ka përdorur një gjuhë mjaft figurative, duke i cilësuar ata si “patriotë në fushatë”, por “vardisës të pushtetit” në jetën reale.
Sipas Azizit, kundërshtarët e tij nuk kanë guximin të ballafaqohen në “tryezën e burrave” ku merren vendimet e mëdha kombëtare, por kërkojnë takime “tet-a-tet” dhe private për të siguruar favore personale.
“Nga keksat e ‘buza me tamël’, te takimet tet-a-tet. Kështu ndodh kur nuk ke guxim të flasësh në tryezë të burrave, por kërkon takime ‘private’ për t’iu vardisur pushtetit në kurriz të interesave të shqiptarëve,” – mësohet të ketë deklaruar Azizi.


