Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka hedhur hapat e parë drejt ridizajnimit të parë të plotë të kartëmonedhave euro që nga viti 2002, duke hapur zyrtarisht konsultimin publik që u mundëson qytetarëve në mbarë Evropën të japin mendimin e tyre deri më 21 shtator 2026, përcjell KohaNEWS.
Për të gjithë ata që shqetësohen për paratë e tyre, BQE ka konfirmuar se kartëmonedhat aktuale euro do të ruajnë plotësisht vlerën dhe do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me serinë e re, kështu që nuk ka vend për panik se eurot e vjetra do të zhduken papritur.
Propozimet aktuale janë rezultat i një konkursi masiv evropian me mbi 1.200 aplikime nga dizajnerë grafikë. Ndër konceptet e përzgjedhura spikasin dy drejtime kryesore:
-
Trashëgimia njerëzore: Përfshirja e figurave emblematike botërore si shkencëtarja e shquar Maria Sklodowska-Curie, gjeniu i artit Leonardo da Vinci dhe maestro i muzikës Ludwig van Beethoven.
-
Natyra dhe ekologjia: Një seri e dedikuar pasurisë natyrore, e cila sjell në pah figura të shpendëve, përfshirë lejlekun e bardhë.
Përveç freskimit pamor, ky ndryshim synon rritjen e qëndrueshmërisë ekologjike dhe uljen e ndikimit mjedisor të prodhimit të parave.
Nisma ka marrë vëmendje të veçantë edhe në rajon. Gjatë prezantimit të koleksionit të ri në Kosovë, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i ka ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në këtë votim publik. Ai ka theksuar se kjo është një ngjarje me peshë për vendin, duke kujtuar se euro është valuta zyrtare e Kosovës dhe se vendi po ecën fuqishëm drejt integrimit evropian, modernizimit të sistemit të pagesave dhe anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
Pjesëmarrja në këtë proces jo vetëm që u jep qytetarëve mundësinë të zgjedhin dizajnin e ardhshëm të portofolit të tyre, por shërben edhe si një mundësi e shkëlqyer për ngritjen e edukimit financiar. Të gjithë të interesuarit mund të hedhin votën e tyre përmes linkut zyrtar të vënë në dispozicion nga BQE.
/KohaNEWS


