Bashkimi Evropian ka njoftuar se do të thërritet një takim i nivelit të lartë në kuadër të Dialogut Beograd-Prishtinë, i udhëhequr nga Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas, sapo situata politike ta lejojë këtë.
Kjo deklaratë vjen pas takimit të fundit të nivelit teknik më 11 shtator 2025 në Bruksel, mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi (Kosovë) dhe Petar Petković (Serbi), të ndërmjetësuar nga emisari i BE-së, Peter Sørensen, i cili përfundoi pa përparim në çështjet kryesore.
Në një përgjigje për mediat, BE-ja ka theksuar se takimi i nivelit të lartë do të organizohet “sapo kushtet të jenë të përshtatshme”, duke pasur parasysh ngërçin aktual politik në Kosovë, ku qeveria është në detyrë kujdestare pas zgjedhjeve të shkurtit dhe me zgjedhje të reja të parapara për 28 dhjetor 2025.
Ish-kryenegociatori Avni Arifi ka deklaruar se procesi i dialogut nuk pritet të lëvizë deri në formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve, por ka shtuar se rifillimi mund të ndodhë shpejt pas konstituimit të qeverisë së re.
Ndërkaq, ish-ambasadori Gjergj Dedaj ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale, duke e akuzuar për “kapitullim diplomatik” dhe ka shprehur shpresë se zgjedhjet do të sjellin ndryshim që do të përmirësojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë rifillimin e dialogut me Serbinë.
Dialogu Kosovë-Serbi mbetet i bllokuar, ndërsa BE-ja vazhdon të insistojë në zbatimin e plotë të marrëveshjeve ekzistuese për normalizimin e marrëdhënieve.


