Kryetari republikan i Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan, ka lëshuar një thirrje zyrtare (subpoena) për ish-këshilltarin special Jack Smith, duke kërkuar dëshminë e tij në një seancë me dyer të mbyllura më 17 dhjetor 2025.
Kjo thirrje vjen si pjesë e hetimit të komitetit mbi ndjekjet penale federale kundër presidentit Donald Trump, të cilat u drejtuan nga Smith deri në mbylljen e tyre pas fitores së Trump në zgjedhjet e 2024-ës.
Në letrën drejtuar Smith-it dhe avokatëve të tij, Jordan thekson se komiteti po ushtron mbikëqyrje mbi funksionimin e Zyrës së Këshilltarit Special, duke kërkuar informacione jetike për proceset ndaj Trump-it dhe bashkëpunëtorëve të tij. Dokumentet e kërkuara duhet të dorëzohen deri më 12 dhjetor.
Avokati i Smith-it, Peter Koski, ka konfirmuar se ish-prokurori do të bindet ndaj thirrjes, por ka shprehur zhgënjim që komiteti refuzoi ofertën e mëparshme të Smith-it për të dëshmuar publikisht.
Smith kishte udhëhequr dy raste kryesore federale: një për mbajtjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në 2021, dhe tjetrin për përpjekjet për të penguar transferimin e pushtetit pas zgjedhjeve të 2020-ës. Të dyja rastet u hodhën poshtë pas rizgjedhjes së Trump-it, në përputhje me politikën e Departamentit të Drejtësisë që ndalon ndjekjen penale të një presidenti në detyrë.
Republikanët e konsiderojnë hetimin e Smith-it si “të motivuar politikisht”, ndërsa Trump vazhdon ta cilësojë atë si “gjueti shtrigash”.
Smith ka qenë gjithashtu prokuror kryesor në Dhomat Speciale për Kosovën në Hagë (2018-2022), ku ngriti akuza kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi. Disa aleatë të Trump-it e kanë akuzuar Smith-in për veprime politike edhe atje, duke përmendur kohën e aktakuzës ndaj Thaçit në qershor 2020, që çoi në anulimin e një takimi në Shtëpinë e Bardhë mes Thaçit dhe presidentit të atëhershëm Trump.
Me republikanët që kontrollojnë Kongresin, hetimet ndaj Smith-it pritet të intensifikohen.


