Klisman Cake po përjeton një periudhë mjaft pozitive me fanellën e Shkëndijës, duke u shndërruar në një nga emrat më të spikatur të skuadrës tetovare. I ftuar në një lidhje direkte në emisionin “Mega Sport”, mbrojtësi nga Pogradeci foli për momentin aktual te kuqezinjtë, emocionet më të mëdha në karrierë dhe të ardhmen e tij profesionale, duke mos përjashtuar mundësinë e largimit në fund të sezonit.
Cake u ndal fillimisht te fitorja e rëndësishme ndaj Bratislavës, të cilën e cilësoi si një moment kyç për skuadrën. “Kjo fitore na dha shumë besim, aktualisht jemi në gjendje shumë të mirë. Premiot mbeten brenda klubit dhe gjithçka po funksionon siç duhet. Kam kontratë deri në verë dhe padyshim që përvoja këtu është shumë e mirë”, u shpreh ai.
Duke krahasuar futbollin në Maqedoninë e Veriut me atë në Shqipëri, Cake theksoi se niveli sportiv është i përafërt, ndërsa infrastruktura dhe media në Shqipëri janë në avantazh. Ai zbuloi gjithashtu se Shkëndija e kishte ndjekur prej vitesh, duke shtuar se klubi ka eksperiencë të rëndësishme evropiane me disa paraqitje në “Play Off”-in e Europa League. “Atmosfera këtu është perfekte dhe çdo lojtar ka pasur rolin e vet. Besoj se kishte ardhur momenti i duhur”, tha ai.
Një nga momentet më emocionuese për Caken mbetet ftesa nga trajneri Silvinjo për Kombëtaren. “Nuk e besoja kur më erdhi ftesa, më dukej si ëndërr. Megjithatë, momenti më emocionues në karrierë ishte fitorja në Serbi. Ajo ndeshje më preku më shumë se debutimi në miqësore. Kur shënoi Manaj, na duhej kardiolog”, tregoi ai me humor.
Sa i përket objektivave, mbrojtësi theksoi se synimi me Shkëndijën është kalimi i fazës së grupeve në Evropë, duke shtuar se skuadra ka shanse reale për ta arritur këtë. Ai konfirmoi gjithashtu se po punohet për ndërtimin e stadiumit të ri, i cili pritet të përfundojë brenda një viti.
Në fund, Cake pranoi se interesimi për të është i madh. “Telefoni bie vazhdimisht. Dëshira e çdo futbollisti është të luajë në nivelet më të larta, por do të shohim çfarë mundësish do të paraqiten”, përfundoi ai.


