TIRANË – Gjatë një konference për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk plotëson asnjë kriter për integrimin në Bashkimin Evropian, përveç pozicionit gjeostrategjik të vendit. Berisha akuzoi Ramën se po shkelmon reformat që dikur i trumbetonte si suksese, duke vënë në rrezik të ardhmen evropiane për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij.
Kryedemokrati theksoi se opozita ka dijeni për shqetësimet në kancelaritë evropiane, por nënvizoi se ndryshimi duhet të vijë nga brenda. “Përgjigjja e opozitës është kryengritje paqësore deri në largimin e tij,” u shpreh Berisha, duke shtuar se janë qytetarët ata që duhet ta largojnë këtë regjim për të shpëtuar procesin e integrimit.
Sipas tij, çdo zhbërje e ecurisë drejt BE-së do ta nxirrte Shqipërinë nga orbita perëndimore, një pasojë të cilën ai e cilësoi si tejet të hidhur për vendin.


