Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) njofton se deri në fund të muajit nëntor janë kryer rreth 4.000 kontrolle, në të cilat janë evidentuar një sërë parregullsish në pjesën e moslëshimit të faturave fiskale. Si rezultat, janë shqiptuar mbi 2.500 gjoba, ndërsa 113 bizneseve u është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë.
Sipas DAP-it, fakti që çdo kontroll i katërt rezulton me shkelje tregon për një dukuri të përhapur të mosregjistrimit të qarkullimit të parasë. Në një plan më të gjerë, kjo lidhet edhe me pagesa të paligjshme në të holla mes kompanive dhe me pagesën e pagave “në zarf”, praktika që konsiderohen forma të ekonomisë gri, krijojnë konkurrencë të pandershme dhe shkaktojnë humbje në buxhetin e shtetit.
DAP bën të ditur se shumicës së tatimpaguesve të ndëshkuar u janë dërguar mesazhe të personalizuara për t’i ftuar të dorëzojnë korrigjime në deklaratat tatimore, të paraqesin qarkullimin real dhe të paguajnë detyrimet tatimore. Institucioni paralajmëron se, në rast se nuk veprojnë vullnetarisht, do të ndërmerren kontrolle shtesë duke përdorur metoda indirekte për të konstatuar qarkullimin e fshehur dhe tatimin e papaguar.
Kontrolle të shtuara për festat e fundvitit
DAP paralajmëron intensifikim të inspektimeve gjatë periudhës së festave të fundvitit, duke përfshirë restorante, kafene, diskoteka, fast-food-e dhe të gjithë subjektet që punojnë me pagesa në të holla.
Para fazës së ndëshkimeve më të ashpra, Drejtoria ka realizuar një proces të gjerë këshillues dhe analiza zyrtare për të vlerësuar sjelljen e tatimpaguesve dhe nivelin e përputhshmërisë së tyre me ligjin.
Deri më 20 nëntor janë kryer 3.500 vizita këshilluese në dyqane dhe objekte gastronomike, ku inspektorët tatimorë kanë informuar bizneset për shkeljet më të shpeshta dhe nevojën për korrigjimin e tyre.
Gjatë vizitave janë konstatuar raste si pajisje fiskale pa ngjitëse të servisit të autorizuar, plomba të dëmtuara, pajisje të regjistruara në adresa të tjera nga vendi real i punës, mosderdhje e qarkullimit ditor në bankë dhe mosmbajtje e librit të raporteve ditore financiare.


