Pasuria e super të pasurve në botë është rritur në rreth 13.6 trilionë euro brenda një viti – një rritje prej 13% krahasuar me vitin 2024, sipas llogaritjeve të bankës globale zvicerane UBS, transmeton B92.
Në analizë, UBS merr parasysh paranë e gatshme, letrat me vlerë, aksionet në kompani, pasuritë e paluajtshme dhe asetet e tjera materiale, raporton dpa.
Kjo shumë gjigande është e shpërndarë mes një grupi njerëzish që vazhdimisht rritet. UBS numëron 2.919 miliarderë këtë vit, ndërsa vitin e kaluar ishin 2.682.
Në të njëjtën kohë, 91 persona u bashkuan me radhët e miliarderëve përmes trashëgimisë. Ndër super të pasurit dominojnë meshkujt: 2.545 miliarderë janë burra, ndërsa 374 janë gra.
Gjermania me rritje të fortë të miliarderëve
Në Gjermani, numri i miliarderëve është rritur me një të tretën, duke arritur në 156. Më shumë miliarderë jetojnë në Gjermani sesa në çdo vend tjetër europian.
Miliarderët gjermanë e kanë rritur pasurinë e tyre me rreth 134 miliardë euro krahasuar me një vit më parë, duke arritur në totalin prej 635 miliardë euro. Gjermania konsiderohet “rajoni më i pasur në Evropën Perëndimore”.
Gjermania prin në disa industri – nga farmaceutika te inxhinieria dhe te mallrat e konsumit – gjë që krijon bazë të gjerë për sukses sipërmarrës. Po ashtu ekziston një traditë e fortë trashëgimie pasurie. Vetëm këtë vit, 15 anëtarë të dy familjeve farmaceutike trashëguan shuma të konsiderueshme parash.
SHBA në krye të listës së miliarderëve
Megjithatë, në krahasim me Shtetet e Bashkuara, Gjermania mbetet larg. SHBA ka 924 miliarderë me një pasuri totale prej rreth 6.3 trilionë euro. Kina renditet e dyta me 470 miliarderë dhe rreth 1.65 trilionë euro pasuri totale.
Sipas UBS, numri i miliarderëve në botë pritet të vazhdojë të rritet në dekadat e ardhshme, si rezultat i rritjes së transferimit të pasurisë.
Vlerësimet tregojnë se deri në vitin 2040, miliarderët do të transferojnë rreth 6.3 trilionë euro pasuri globalisht, nga të cilat të paktën 5.4 trilionë euro do të trashëgohen direkt ose indirekt nga bashkëshortët dhe fëmijët.


