Edhe pse moti i keq ka përfshirë rajone të ndryshme të Greqisë, fermerët po e vazhdojnë pa ndërprerje aksionin e tyre protestues. Në mbarë vendin raportohet se janë ngritur të paktën 14 bllokime rrugore, ndërsa mbi 6 mijë traktorë kanë dalë në arteriet kryesore dhe në pika strategjike të komunikacionit.
Protestuesit kanë vendosur makineritë bujqësore në dogana, në kryqëzime të rëndësishme dhe në segmente kyçe të rrugëve kombëtare, ndërsa gjatë fundjavës priten bllokime të tjera.
Në Janinë, ku protestat kanë hyrë në ditën e gjashtë, fermerët dhe blegtorët kanë zënë kryqëzimin e Kalpakit që prej orës 08:30 të mëngjesit, duke paralajmëruar qëndrimin deri në mesditë. Po ashtu, autoritetet greke njoftojnë se i njëjti kryqëzim do të mbyllet sërish nga ora 19:00 deri në 22:00.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe nesër, duke sinjalizuar se pakënaqësitë ndaj politikave bujqësore të qeverisë mbeten të larta.


