Haradinaj: Tani flas si kryeministër i ardhshëm, jo më si opozitar

Prishtinë, 18 dhjetor 2025 – Ramush Haradinaj, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka ndryshuar tonin e komunikimit publik. Në një paraqitje në emisionin Debat Plus, ai ka deklaruar se nuk do të vazhdojë të kritikojë qeverisjen aktuale si opozitar, por do të flasë si udhëheqës i ardhshëm i qeverisë.

 

Haradinaj ka kritikuar pesë vitet e fundit të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, duke i cilësuar si periudhë të dëmshme që kanë sjellë humbje politike, strategjike dhe dëmtim të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë sanksionet nga Bashkimi Evropian dhe ndërprerjen e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara.

“Kosova ka kaluar një periudhë të rëndë këto pesë vjet. Kam përmbushur rolin tim si opozitar, por tani flas si ai që do të marrë përgjegjësinë nesër. Nuk bëj më opozitë ndaj VV-së, sepse ata kanë humbur një pjesë të besimit. Tani përqendrohem te punët që do të kryej si qeveritar,” ka thënë Haradinaj.

Ai ka premtuar se, nëse fiton besimin për të udhëhequr qeverinë e re, do të angazhohet për zgjidhjen e çështjeve të mëdha shtetërore, siç ka bërë në të kaluarën me pavarësimin energjetik, Trepçën dhe themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Gjuhën time tani e përshtat si dikush që do të qeverisë nesër. Ka sfida të mëdha përpara Kosovës dhe synoj t’i realizoj ato,” ka shtuar lideri i AAK-së.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT