Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë liruar me kusht ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj. Vendimi u mor më 3 dhjetor 2025, pasi gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që nga rishikimi i paraburgimit të Kilajt në tetor 2025 dhe se vazhdimi i paraburgimit nuk ishte më i arsyeshëm apo proporcional.
Në njoftim bëhet e ditur se, megjithëse ekzistonte njëfarë rreziku që Kilaj mund të pengonte procesin ose të kryente vepra të tjera penale, gjykatësi arriti në përfundimin se e drejta themelore për liri peshonte më shumë se këto rreziqe. Në vendim u morën parasysh edhe koha që Kilaj ka kaluar në paraburgim, e cila tejkalon dënimin minimal sipas ligjit për veprat për të cilat akuzohet.
Gjykata po ashtu vlerësoi se rreziku që Kilaj të ndikojë në dëshmitarët e Prokurorisë për “Çështjen 12” është shumë i ulët dhe se nuk ekziston rreziku i arratisjes, duke u bazuar në sjelljen e tij gjatë lirimeve të mëparshme dhe garancinë financiare të ofruar.


