Ramiz Lladrovci u betua sot për herë të katërt si kryetar i Komunës së Drenasit gjatë seancës konstituive të Kuvendit të ri. Ai u shpreh i nderuar dhe privilegjuar që për herë të katërt mund të mbajë fjalim para të zgjedhurve të përbërjes së re.
“Një ditë gjatë katër viteve jam plotësisht politik, ditën kur votoj, ndërsa ditët e tjera jam njëri nga ju, duke drejtuar komunën me integritet dhe besim të qytetarëve,” tha Lladrovci, duke përkujtuar kontributin e qytetarëve në lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Ai ritheksoi përkushtimin për qeverisje të bazuar në ligj, transparente dhe llogaridhënëse, duke kujtuar se qeverisja e tij është vlerësuar shtatë herë si më e mira në vend. Lladrovci shprehu shpresën që, së bashku me kuvendarët e rinj, Drenasi të arrijë të bëhet 10 herë kampion i qeverisjes së mirë në nivel vendi.
“Jam i lumtur të jem në krye të një komune shembull të qeverisjes së mirë, transparente dhe llogaridhënëse. Bashkë, do të bëjmë më të mirën për qytetarët tanë,” deklaroi Lladrovci pas betimit.


