Joni Keta emërohet drejtor i ri i Byrosë Kombëtare të Hetimit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar sot emërimin e Joni Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas rekomandimit të ardhur nga Prokuroria e Posaçme. Keta mori mbështetjen e 11 anëtarëve të KLP-së, duke siguruar mandatin pesëvjeçar në drejtimin e institucionit që shërben si strukturë kryesore hetimore në mbështetje të SPAK.

 

Para se të zgjidhej në këtë detyrë, Keta ushtronte funksionin e zëvendësdrejtorit të BKH-së. Ai u përzgjodh pas një procedure të gjatë rekrutimi, në të cilën konkurruan shtatë kandidatë me profile të ndryshme nga Policia e Shtetit dhe sistemi i prokurorisë, të specializuar në hetime të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndryshimi në drejtimin e BKH-së ndodh pas përfundimit të mandatit të parë, të mbajtur nga Aida Hajnaj. I gjithë procesi u ndoq nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, të cilët ishin të pranishëm edhe gjatë votimit.

Në garën për drejtimin e Byrosë garuan gjithashtu Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano.

Me emërimin e Ketës, BKH kalon në fazën e dytë të funksionimit të saj, me synimin për të forcuar aftësitë hetimore dhe për të rritur efektivitetin në mbështetje të SPAK në çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT