Zëdhënësi i Speciales: Vendimi për Thaçin dhe bashkë të akuzuarit pritet në vitin 2026

Liderët e ish-UÇK-së vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tyre ka hyrë në fazën përmbyllëse. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen para Dhomave të Specializuara që nga viti 2020, ku po gjykohen mbi akuzat e ngritura nga Prokuroria e Specializuar. Të katër i kanë kundërshtuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

 

Në një përgjigje për “Front Online”, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, ka konfirmuar se trupi gjykues ka miratuar një udhëzim të ri procedural, i cili përcakton hapat e mbetur të procesit dhe afatet përkatëse.

Sipas këtij urdhri, 19 janari 2026 është caktuar si data përfundimtare brenda së cilës Prokuroria dhe ekipet mbrojtëse duhet të dorëzojnë materialet e tyre gjyqësore. Ky afat shënon një moment të rëndësishëm në konsolidimin e dosjes dhe përgatitjen e fazës së verdiktit.

Me përmbylljen e këtij procesi administrativ, pritet që aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të shpallet gjatë vitit 2026, megjithëse data e saktë do të varet nga ritmi i punës së trupit gjykues.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT