Një tërmet me epiqendër në rajonin Tetovë-Gostivar është regjistruar pas mesnate, njoftoi Observatori Sizmologjik pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikore në Shkup.
Sipas të dhënave të observatorit, lëkundjet kanë ndodhur në orën 00:06 dhe kanë pasur një magnitudë lokale prej 3.0 sipas shkallës së Rihterit.
Lëkundjet janë ndjerë nga banorët e Gostivarit, Tetovës dhe zonave përreth, me një intensitet prej III gradësh sipas Shkallës Evropiane Makrosizmike.
Nga Observatori Sizmologjik bëjnë të ditur se qytetarët që e kanë ndjerë tërmetin mund të kontribuojnë në hulumtimet sizmologjike duke plotësuar pyetësorin përkatës të publikuar nga institucioni. Autoritetet nuk kanë raportuar për dëme materiale apo persona të lënduar.


