Mario Mitaj protagonist në Championsin e Azisë, feston edhe Regi Lushkja

Ylli i Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, u shndërrua në protagonist në fitoren e Al Ittihad ndaj Al Sadd me rezultat 1-4, në Champions Ligën e Azisë.

 

Mitaj u aktivizua titullar dhe në minutën e 33-të realizoi një harkim perfekt, i cili “hipnotizoi” mbrojtësin kundërshtar Pedro Miguel, duke e detyruar të shënojë autogol në portën e tij. Ky moment i dha epërsi skuadrës saudite, e cila më pas siguroi kualifikimin për raundin tjetër.

Mbrëmje pozitive edhe për Regi Lushkjan, mesfushorin shqiptar të Traktorit. Skuadra e tij mposhti Al Gharafa me rezultat 0-2, duke siguruar gjithashtu kalimin në fazën pasardhëse. Lushkja u aktivizua titullar dhe u zëvendësua në minutën e 61-të, kur rezultati ishte 0-1.

Me këtë sukses, Traktori grumbulloi 17 pikë në 8 ndeshje, dy më shumë se ekipi i Mitajt, duke e mbyllur grupin në krye.

Ky raund i Championsit të Azisë shënoi një mbrëmje të veçantë për futbollistët shqiptarë, të cilët po lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT