Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të pezulluar të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për më datë 3 prill, pasi mbrojtja pretendoi se i pandehuri ka nevojë për më shumë kohë për t’u njohur me dosjen voluminoze. Avokati Plarent Ndreca hodhi poshtë akuzat e prokurorisë për strategji zvarritëse, duke deklaruar se nxitimi i organit të akuzës po cenon të drejtat kushtetuese të klientit të tij. Sipas Ndrecës, Veliaj po studion dosjen me ritme të larta dhe është i gatshëm të përballet me procesin, por kërkon kohën e mjaftueshme për të ndërtuar një mbrojtje efektive me një ekip ekspertësh.
Mbrojtja paralajmëroi gjithashtu se do të kërkojë zyrtarisht që procesi gjyqësor të zhvillohet me dyer të hapura dhe të transmetohet live me kamera, në mënyrë që qytetarët të njihen me të vërtetën e çështjes. Ndreca theksoi se Veliaj, si një politikan i votuar në tre mandate, meriton një proces transparent para publikut shqiptar. Ai e konsideroi mbajtjen e Veliajt në paraburgim si të paarsyeshme dhe në kundërshtim me frymën e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke insistuar se e vërteta do të dalë në dritë vetëm përmes një gjykimi të hapur dhe të rregullt ligjor.


