Shkup, 16 dhjetor – Mërgimtarët vitin e kaluar dërguan në Maqedoni 310 milionë euro, që përfaqëson rreth 2% të Prodhimit të Brendshëm Vendor (PBV). Megjithëse Maqedonia ka suficit në transfertat personale, shuma absolute ka shënuar një rënie krahasuar me 319 milionë euro në vitin 2023 dhe 331 milionë euro në vitin 2022.
Nga vendet e rajonit, transfertat më të mëdha vitin e kaluar i kanë dërguar diaspora e Serbisë (4,47 miliardë euro), Bosnja e Hercegovina (1,99 miliardë), Kosova (1,32 miliardë), Shqipëria (1,28 miliardë) dhe Mali i Zi (345 milionë euro).
Në vitin 2024, nëntë vende të BE-së shënuan suficit në transfertat personale, përfshirë Kroacinë (2,6% e PBB-së), Bullgarinë (1,3%) dhe Portugalinë (1,2%). Në të kundërt, Malta, Qipro, Belgjika, Greqia, Spanja dhe Franca treguan deficite më të mëdha.
Sipas Eurostat, fluksi total i transfertave personale nga banorët e BE-së drejt personave jashtë BE-së arriti 52,1 miliardë euro në 2024, me një rritje prej 6% krahasuar me vitin 2023. Për pesë vitet e fundit, transfertat personale janë rritur 51%, ndërsa qarkullimi global ka shënuar rritje prej 26%, duke zgjeruar bilancin negativ të BE-së ndaj vendeve jashtë unionit në 37,3 miliardë euro.


