Myftiu i Tetovës, Selver Xhemaili, ka marrë pjesë në inaugurimin e projektit kapital të Haxhi Idriz Munishit dhe të birit të tij, Haxhi Arbin Munishi, në fshatin Bogovinjë. Ky investim, i cili u kurorëzua me hapjen e restorantit “VESPERA”, u bekua në një atmosferë gëzimi nën udhëheqjen e Reisul Ulemasë, h. hfz. Shaqir ef. Fetai.
Për Myftiun Xhemaili, ky akt përfaqëson shumë më tepër se një ndërmarrje ekonomike; ai është një mesazh i fuqishëm i lidhjes së pashkëputur me rrënjët. Pas vitesh pune dhe sakrifice në Sllovaki, familja Munishi zgjodhi që suksesin dhe kapitalin e fituar ta kthejnë në vendlindje, duke krijuar zhvillim, punësim dhe shpresë për bashkatdhetarët. Ky investim simbolizon vizionin e dy gjeneratave për ta ndërtuar të ardhmen këtu, duke dëshmuar se vendlindja ofron mundësi reale për prosperitet përmes punës dhe përkushtimit.


