Në një ditë të bukur me diell, nxënësit e klasës së IV të Shkollës Fillore “Vëllezërit Milladinoci” zhvilluan një vizitë të veçantë në Komunën e Strugës. Ata u pritën nga kryetari i komunës, Mendi Qyra, i cili u shpjegoi nga afër funksionimin e institucionit lokal, mënyrën e marrjes së vendimeve dhe realizimin e projekteve që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve.
Takimi u shndërrua në një bisedë të gjallë, ku fëmijët parashtruan pyetje kreative, duke u interesuar për ndërtimin e këndeve të reja të lojërave, fushave sportive, hapësirave të gjelbra dhe përmirësimin e kushteve në shkolla. Kryetari Qyra vlerësoi interesin e tyre për zhvillimin e qytetit dhe theksoi se zëri i fëmijëve është i rëndësishëm për planifikimin e të ardhmes së Strugës.
Vizita u mbyll me një atmosferë pozitive dhe frymëzuese, duke i dhënë nxënësve një përvojë të re mbi mënyrën se si funksionon komuna dhe duke i inkurajuar të bëhen qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm në të ardhmen.


