Tiranë, 13 maj 2026 – Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po mbahen në Hagë, duke i cilësuar proceset gjyqësore ndaj tyre si të padrejta dhe pa prova bindëse.
Gjatë një takimi në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hajdari deklaroi se qëndrimi gjashtëvjeçar i Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij në burg është pasojë e një procesi që, sipas tij, nuk përmbush standardet e drejtësisë evropiane.
“Dhjetë milionë shqiptarë presin drejtësi për çlirimtarët. Kurrë nuk mund të ndodhë të barazohet viktima me agresorin,” u shpreh Hajdari, duke theksuar se qëndresa e ish-udhëheqësve të UÇK-së ka dëshmuar pafajësinë e tyre.
Ai vuri në dukje se dëshmitarët e paraqitur nga mbrojtja, përfshirë ish-zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe personalitete me integritet ndërkombëtar, kanë konfirmuar se këta burra mbahen padrejtësisht. Hajdari shprehu besimin se ata do të fitojnë lirinë dhe do të kthehen për të kontribuar në zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në familjen euro-atlantike.
Në fund të fjalës së tij, Prefekti i Tiranës u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të rrisin mbështetjen për veteranët e luftës, duke i vlerësuar ata si krenarinë e kombit që kërkojnë përkujdesje më të madhe shëndetësore dhe institucionale.


