Studentët e universiteteve shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë njoftuar organizimin e protestës së dytë më 18 maj, me qëllim realizimin e të drejtës për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera shtetërore në gjuhën shqipe.
Përmes thirrjes “Si të parët tanë për këtë amanet!”, përfaqësuesit e lëvizjes studentore kanë kërkuar përkrahje masive për këtë kauzë, të cilën ata e konsiderojnë të garantuar me Kushtetutë. Ky mobilizim vjen pas protestës së mbajtur muajin e kaluar para Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë, ndërkohë që deri më tani nuk ka pasur asnjë vendim konkret nga institucionet për plotësimin e kërkesave të tyre.


