HAGË – Prokurori i Specializuar, Alan Tieger, gjatë shpalosjes së deklaratës përmbyllëse në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka hedhur akuza të rënda lidhur me zinxhirin komandues të ushtrisë.
Sipas Tieger, vrasjet dhe keqtrajtimet e pretenduara në qendrën e ndalimit në Bajgorë nuk ishin veprime individuale, por u kryen përmes “autorizimit të Shtabit të Përgjithshëm”.
Prokuroria pretendon se funksionimi i kësaj qendre bëhej mbi bazën e komunikatave zyrtare të UÇK-së dhe se ishte vetë Shtabi i Përgjithshëm ai që udhëzonte dhe dënonte personat që cilësoheshin si bashkëpunëtorë të forcave serbe.
Këto deklarata janë pjesë e përpjekjes së akuzës për të vërtetuar ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminel”, pretendim ky që hidhet poshtë kategorikisht nga mbrojtja e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.


