Shqipëria miraton buxhetin rekord 8.8 miliardë euro – ja kush përfiton më shumë në 2026

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar buxhetin e vitit 2026 pas një muaji diskutimesh dhe seancash në komisionet parlamentare. Dokumenti financiar u votua me 81 vota pro dhe 16 kundër, në një seancë që zgjati deri pas mesnatës. Gjatë shqyrtimit u propozuan dhjetëra amendamente për shtim fondesh në projekte të ndryshme, por asnjë prej tyre nuk mori miratimin e shumicës.

 

Ministrja e Ekonomisë deklaroi se kërkesat e opozitës, që arrinin në 278.9 miliardë lekë, tejkalonin kufijtë fiskalë dhe do të rrezikonin stabilitetin buxhetor. Në dokument u përfshinë vetëm kërkesat e institucioneve të miratuara në komisione, ku 12 prej tyre përfituan gjithsej 504.9 milionë lekë shtesë, kryesisht në sektorin e drejtësisë.

Buxheti 2026 arrin në 886.7 miliardë lekë (8.8 miliardë euro), të cilat do të shpërndahen për shëndetësinë, pagat, pensionet, mbështetjen sociale, arsimin, bujqësinë, infrastrukturën rrugore, drejtësinë dhe sektorin e sigurisë, përfshirë detyrimet ndaj NATO-s. Vitin e ardhshëm pritet të nisë zbatimi i formulës së re të rritjes së pensioneve, e cila do të përfshijë edhe bonuse mujore. Për këtë masë janë parashikuar 100 milionë euro, ndërsa 16.5 milionë euro do të shkojnë për indeksim.

Pagat në administratë do të indeksrohen me 2.5%, ndërsa paga minimale do të rritet nga 40 mijë në 50 mijë lekë. Investimet publike do të arrijnë rreth 1.8 miliardë euro, duke shënuar rritje krahasuar me vitin aktual. Për shëndetësinë janë parashikuar 82.2 miliardë lekë, duke e bërë ministrinë me buxhetin më të madh. Ministria e Infrastrukturës përfiton 77.2 miliardë lekë, ndërsa ajo e Arsimit 64.8 miliardë lekë.

Sektori i Mbrojtjes ka një buxhet prej 58.9 miliardë lekësh, me rritje të ndjeshme për të përmbushur angazhimet ndërkombëtare. Ministria e Ekonomisë përfiton 41.7 miliardë lekë, ndërsa Ministria e Brendshme 35.7 miliardë lekë. Ndërkohë, bujqësia mbetet ndër sektorët më të nënfinancuar, me vetëm 16.2 miliardë lekë, prej të cilave 7.6 miliardë lekë shkojnë për skemat e mbështetjes së fermerëve.

Të ardhurat buxhetore për 2026 pritet të rriten në 8.2 miliardë euro, të nxitura nga turizmi, rritja ekonomike dhe administrimi fiskal. Borxhi publik pritet të arrijë në 14.9 miliardë euro, ndërsa rritja ekonomike parashikohet në 4%, e mbështetur kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT