SHBA – Gjatë finales së Super Bowl, një prej ngjarjeve më të ndjekura televizive në botë, viktimat e Jeffrey Epstein kanë publikuar një mesazh të fuqishëm që ka tronditur opinionin publik. Përmes një videoje emocionale të titulluar “Është koha për të vërtetën”, të mbijetuarat e skandalit më të madh të trafikimit seksual kanë kërkuar transparencë të plotë nga Departamenti i Drejtësisë.
Në videon e publikuar nga organizata World Without Exploitation, disa gra shfaqen duke mbajtur në duar fotografitë e tyre nga koha kur ishin fëmijë – periudha kur pretendojnë se u abuzuan nga miliarderi Epstein. Ato i janë drejtuar drejtpërdrejt publikut amerikan, duke kërkuar që të bëhet presion mbi Prokuroren e Përgjithshme të SHBA-së, Pam Bondi, për të publikuar të gjitha dokumentet e mbetura në arkivat federale.
Pavarësisht se më 30 janar 2026, nën “Aktin e Transparencës së Dosjeve Epstein”, u bënë publike rreth 3 milionë faqe dokumente, 2,000 video dhe 180,000 imazhe, viktimat pretendojnë se kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Sipas tyre, rreth 3 milionë dokumente të tjera po mbahen ende të fshehura, me arsyetimin se përmbajnë materiale sensitive ose të dhëna të mbrojtura ligjërisht.
“Mos u tregoni sikur kjo ka kaluar! Zbardhni emrat!” – është thirrja e tyre drejtuar autoriteteve, duke kërkuar që emrat e personave të fuqishëm që ishin pjesë e rrjetit të Epstein të mos mbrohen më nga politika.
Ky aksion gjatë Super Bowl-it konsiderohet si një lëvizje strategjike e viktimave për të mbajtur çështjen në vëmendjen e qytetarëve, në një kohë kur presioni mbi administratën Trump dhe stafin e drejtësisë për zbardhjen e listës së plotë të bashkëpunëtorëve të Epstein është në kulmin e tij.


