Tetovë, 17 shkurt 2026 – Një skijator nga Danimarka ka pësuar lëndim gjatë qëndrimit të tij në zonën e njohur si “Ceripashina”. Ngjarja ka ndodhur jashtë pistave zyrtare të administruara nga Ski Qendra “Kodra e Diellit”.
Nga Ski Qendra është bërë e ditur se ski-ashensori “Ceripashina” nuk ka qenë në funksion për shkak të erërave të forta dhe kushteve të pafavorshme atmosferike. Skijatori i lënduar ka qenë mysafir i një operatori privat që vepron jashtë pistave të menaxhuara nga qendra.
Drejtoria e Ski Qendrës thekson se përgjegjësia e saj mbetet vetëm për pistat dhe hapësirat që janë nën administrimin zyrtar, ndërsa zonat ku operojnë palë të treta nuk janë pjesë e menaxhimit të qendrës. Megjithatë, menjëherë pas marrjes së informacionit, njësiti i shpëtimit ka dalë në terren për të ofruar ndihmën e nevojshme dhe për të asistuar në transportimin e të lënduarit.
“Së pari dhe mbi të gjitha, siguria e vizitorëve tanë mbetet prioriteti kryesor,” thuhet në njoftimin e Ski Qendrës, e cila falënderon ekipin e shpëtimit për reagimin e shpejtë dhe profesional.


