HAGË – Gjykata Speciale ka vendosur të martën, më 3 shkurt 2026, që t’ia vazhdojë masën e paraburgimit ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Edhe pse trupi gjykues ka konstatuar një rënie të rrezikut për pengim të drejtësisë, përsëri është vlerësuar se lirimi i tij mund të rrezikojë ecurinë e procesit.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, sqaroi se gjyqtari ka pranuar faktin që rreziku për ndërhyrje është zvogëluar. Kjo vjen pasi procedurat provuese në rastin e parë për krime lufte kanë përfunduar, si dhe për faktin se në procesin e dytë – atë për ndërhyrje në drejtësi – Prokuroria synon të bazohet pothuajse tërësisht në prova dokumentare.
Pavarësisht këtyre rrethanave lehtësuese, Gjykata vlerësoi se mbetet një rrezik real që Thaçi të:
Pengojë ecurinë e mëtejshme të procedurave në rastin e dytë.
Ndikojë te dëshmitarët potencialë përmes personave që vazhdojnë të jenë të lirë në Kosovë.
Sipas vendimit, dyshimet për përpjekje të mëparshme për udhëzimin e personave jashtë qendrës së paraburgimit mbeten bazë e mjaftueshme për ta mbajtur ish-krerin e UÇK-së në burgun e Hagës deri në një rishikim tjetër të masës.


