Koalicioni VLEN ka zyrtarizuar sonte propozimet për përbërjen e re qeveritare, duke sjellë emra të rinj në dikastere kyçe, ndërsa ka rikonfirmuar disa nga figurat që kanë ushtruar funksione deri më tani.
Në mbledhjen e Presidencës së VLEN-it, është vendosur që Sedat Sulejmani, i cili deri më tani ka ushtruar detyrën e zëvendësministrit të Kulturës, të avancohet në postin e Ministrit të Kulturës dhe Turizmit.
Pas marrjes së këtij vendimi, Sulejmani ka shprehur mirënjohjen e tij për besimin e dhënë. “Me përgjegjësi të madhe dhe me mirënjohje e pranoj besimin e dhënë nga Presidenca e VLEN-it për të ushtruar detyrën e Ministrit të Kulturës dhe Turizmit,” u shpreh Sulejmani, duke shtuar se puna e nisur në fillim të mandatit do të vazhdojë me përgjegjësi dhe vullnet edhe më të madh.
Përbërja e propozimeve të reja për kabinetin qeveritar:
-
Jeton Shasivari, profesor universitar, propozohet për Ministër të Drejtësisë.
-
Agon Ferati, propozohet për Ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.
-
Sedat Sulejmani, propozohet për Ministër të Kulturës dhe Turizmit.
Në ekipin qeveritar të VLEN-it vazhdojnë të mbeten Bekim Sali (Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Çështje Evropiane), Besar Durmishi (Ministër i Ekonomisë dhe Punës), dhe Muhamet Hoxha (Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor).


