Pas një karriere të jashtëzakonshme 28-vjeçare në volejbollin aktiv, ikona e këtij sporti, Habil Ajeti, ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij profesionale. Ai tashmë i është bashkuar zyrtarisht shtabit teknik të Kombëtares A të meshkujve të Kosovës, duke vënë eksperiencën, profesionalizmin dhe bagazhin e tij të pasur në shërbim të “Dardanëve”.
Ajeti do të jetë krahu i djathtë i përzgjedhësit malazez, Darko Prebiracevic, dhe asistentit të tij, Valon Mustafa. Prania e një emri që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në volejbollin shqiptar dhe rajonal konsiderohet një vlerë e shtuar dhe një aset i madh për zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të ekipit kombëtar kosovar.
Përvojë e dëshmuar edhe në menaxhim
Përvoja e Ajetit në stol nuk është e re. Për një periudhë kohore, ai ka shërbyer edhe si ndihmëstrajner në përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, duke dëshmuar aftësitë e tij taktike dhe lideri, të cilat i karakterizuan edhe epokën e tij si lojtar aktiv në parket ku luajti si korrektor.
Një karrierë e pasur me trofe në mbarë Europën
Gjatë rrugëtimit të tij të gjatë si lojtar, Habil Ajeti ka mbrojtur ngjyrat e disa prej klubeve më të njohura shqiptare, rajonale dhe evropiane, ku arriti të shpallej kampion dhe fitues kupe në disa shtete të ndryshme:
-
Shkëndija (Tetovë)
-
KEK-u & Mabetexi
-
Drenica
-
Rabotniçki (Shkup)
-
Studenti (Tiranë)
-
Pallavolo Lugano (Zvicër)
-
Shutova (Kërçovë)
-
Luboteni (Ferizaj)
-
Skënderbeu (Kraishtë)
Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm ndër vite, duke i uruar mirëseardhje në këtë rol të ri dhe shumë suksese në rrugëtimin e përbashkët drejt majave të volejbollit ndërkombëtar.


