Në 28-vjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz (22 janar 1998), Abaz Jashari ka shpalosur për herë të parë një bisedë rëndëqethëse me kryefamiljarin, Shaban Jashari. Ky sulm, i cili ndodhi gjashtë vite pas atij të parit në 1991, ishte dëshmia e parë e rezistencës me armë në dorë nga vetë baca Shaban brenda mureve të kullës.
Mbrojtja e nipave dhe akti i trimërisë Sipas dëshmisë së Abaz Jasharit, baca Shaban kishte qëndruar gjatë gjithë natës në gatishmëri, me sytë nga dritaret ku po flinin nipat e tij: Fitimi, Besimi dhe Kushtrimi. Ai kishte frikë se forcat serbe do të hidhnin bomba dore përmes dritareve. “Isha i gatshëm të hidhesha mbi bomba vetëm t’i shpëtoja ata,” i kishte rrëfyer baca Shaban djalit të tij të axhës, duke treguar se si i kishte zmbrapsur forcat policore sapo kishin tentuar të thyenin derën e kullës, duke zbrazur mbi ta karikatorë të tërë automatiku.
“Meraku” i pleqërisë Pjesa më emocionuese e bisedës mbetet pengu që baca Shaban ndjente në atë moment. Edhe pse kishte treguar një trimëri të rrallë duke i kthyer mbrapsht forcat speciale serbe në moshën 74-vjeçare, ai ndjente një lloj “meraku”:
“I kam mbushur 74 vjet dhe nuk e pata fatin që në pleqërinë time të vdisja duke mbrojtur pragun e shtëpisë,” – ishin fjalët e tij, të cilat Abaz Jashari i cilësoi si burim frymëzimi për luftën që do të pasonte.
Vetëm gjashtë javë pas kësaj bisede, dëshira e Shaban Jasharit për të rënë në mbrojtje të shtëpisë u përmbush gjatë Epopesë së lavdishme të UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars, ku ai ra heroikisht së bashku me komandantin legjendar Adem Jashari dhe 58 anëtarë të tjerë të familjes dhe lagjes.


