Aleanca për Shqiptarët humb një nga figurat kyçe të organizimit. Blerant Ramadani jep dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Sekretarit Gjeneral, duke lëshuar akuza të tërthorta për mënyrën se si po menaxhohet stabiliteti i partisë.
Në një njoftim që ka befasuar opinionin, Blerant Ramadani ka konfirmuar largimin nga strukturat aktive të ASH-së. Ndonëse e cilëson si “rikalibrim”, mesazhi i tij tregon qartë një hendek mes botëkuptimit të tij dhe vendimeve të fundit të kryesisë.
”Nuk besoj te logjika e rrëzimit”
Ramadani ka zbuluar për herë të parë se ka qenë kundërshtari i vetëm (apo ndër të paktët) që ka votuar kundër dorëheqjes kolektive të kryesisë së partisë. Ai ka përdorur profilin e tij si inxhinier për të shpjeguar se partia duhet të ndërtohet mbi stabilitet dhe jo mbi “shembje” për të filluar nga zeroja.
”Demokracia është arti i respektimit të shumicës. Unë e pranoj këtë realitet dhe zgjedh të liroj rrugën me dinjitet,” shkruan Ramadani, duke lënë të kuptohet se parimet e tij nuk përputhen më me drejtimin aktual.
Prioriteti i ri: Shkenca para Retorikës
Ish-Sekretari Gjeneral ka njoftuar se nuk do të jetë më pjesë e “zhurmës politike”, por do t’i kushtohet Shkencës dhe Zhvillimit Strategjik, duke goditur kështu retorikën boshe të politikës së ditës. Ai beson se vendi lartësohet nga kompetenca dhe jo nga deklaratat politike.
”Shtrëngim duarsh” me Sarajin
Për fund, ai nuk ka harruar bazën e tij në Saraj, duke u dërguar një mesazh të koduar: se mbështetja e tyre nuk matet me poste, por me moral.


