Prishtinë, 11 shkurt 2026 – Albulena Haxhiu është zgjedhur zyrtarisht Kryetare e Kuvendit të Kosovës. Në fjalimin e saj të parë para deputetëve, Haxhiu vuri theksin te rëndësia e funksionalitetit të institucioneve dhe përkushtimi ndaj interesave të qytetarëve.
“Të jesh në krye të Kuvendit do të thotë t’i shërbesh Republikës. Kuvendi është shtëpia e të gjithë qytetarëve tanë”, deklaroi ajo, duke shtuar se prioriteti i saj do të jetë mbarëvajtja e punës legjislative në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Gjatë adresimit të saj, kryeparlamentarja e re bëri thirrje për unitet rreth përgjegjësive shtetërore, pavarësisht dallimeve politike.
“Një Kuvend funksional është parakusht për një shtet të fortë dhe një demokraci të qëndrueshme. Sot në këtë sallë kemi një detyrë të përbashkët: t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri”, përfundoi Haxhiu.


