Presidenti amerikan Donald Trump ka vlerësuar homologun kinez Xi Jinping, duke e cilësuar si “një lider të madh” dhe duke thënë se ndihet i nderuar që e ka mik.
Gjatë takimit të zhvilluar në Pekin, Trump u shpreh optimist për të ardhmen e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kinës, duke deklaruar se dy vendet mund të kenë “një të ardhme fantastike së bashku”. Ai theksoi se, edhe pse disa njerëz nuk pajtohen me vlerësimet e tij për presidentin kinez, ai vazhdon të besojë se Xi Jinping është një udhëheqës i fuqishëm dhe i rëndësishëm.
Nga ana tjetër, presidenti kinez Xi Jinping deklaroi se interesat e përbashkëta mes dy vendeve janë më të mëdha se dallimet që ekzistojnë mes tyre. Ai ngriti edhe çështjen e ndërtimit të “një modeli të ri marrëdhëniesh mes fuqive të mëdha”.
Xi u ndal edhe te koncepti i njohur si “Kurthi i Tukididit”, që përdoret për të përshkruar rrezikun e përplasjes mes një fuqie në ngritje dhe një superfuqie tashmë të vendosur.
Në bisedime morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të të dy vendeve nga fushat e financave, tregtisë, mbrojtjes dhe diplomacisë.
Sipas agjendës zyrtare, Xi Jinping pritet të shtrojë një banket shtetëror për nder të Trumpit, ndërsa vizita e presidentit amerikan në Kinë do të zgjasë deri të premten.


